Konfiskimi i ndërtimeve pa leje, drafti: si do të trajtohen pronarët e truallit dhe blerësit
Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një draft që parashikon konfiskimin dhe nxjerrjen në ankand të ndërtimeve pa leje, duke përcaktuar qartë mënyrën e trajtimit të blerësve dhe pronarëve të truallit.
Ankandi dhe roli i AAPSK
Sipas draftit, pasuritë e paluajtshme të ndërtuara pa leje, të sekuestruara dhe konfiskuara, do të nxirren në ankand. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) do të ketë rol të zgjeruar, duke ndjekur procedurat e ankandit, administrimit dhe shpërndarjes së aseteve edhe për nevoja të institucioneve dhe ente publike.
Trajtimi i blerësve me kontrata
Drafti parashikon trajtim të veçantë për rastet kur ndërtimet pa leje përmbajnë njësi të shitura ose të përdorura nga palë të treta, të cilat disponojnë kontrata noteriale të lidhura me ndërtuesin përpara konstatimit të paligjshmërisë. Në këto raste, objektet do të përfshihen në procedurat e legalizimit dhe regjistrimit, në përputhje me nenin 69 të ligjit nr. 20/2020 për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
Procedurat e legalizimit
Për objektet që plotësojnë kushtet, AAPSK do t’i kërkojë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës vijimin e procedurave të legalizimit sipas legjislacionit në fuqi, duke synuar mbrojtjen e interesave të blerësve që kanë vepruar në mirëbesim dhe kanë përfunduar pagesat për njësitë e tyre.
Marrëdhënia me pronarët e truallit
Në rastet kur objekti i konfiskuar është ndërtuar mbi truall me pronar të tretë, drafti parashikon dy skenarë. Kur ekziston një marrëveshje paraprake e dokumentuar mes ndërtuesit dhe pronarit të truallit, ajo do të respektohet. Në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, do të procedohet me shpronësim të pronarit të truallit, sipas legjislacionit në fuqi.
Vlerësimi dhe destinacioni i pasurive
AAPSK do të marrë, regjistrojë dhe inventarizojë objektet e konfiskuara, duke vlerësuar destinacionin e tyre, përqindjen e pjesëve takuese që rrjedhin nga marrëdhëniet ligjore me pronarët e truallit, si dhe detyrimet financiare ndaj personave të tretë. Ky vlerësim do të shërbejë për përcaktimin e formës së zhvillimit apo ankandimit të pasurive.